QSUT, Spitali Nënë Tereza Tiranë, Shqipëri
Shqipëri, Ti je një luledielli!
Gjithçka nisi nga zero nën idenë, konceptimin dhe kurimin e Albana Osmani. 6 të rinj bashkuar këtij vizioni mblodhën paratë e tyre për të krijuar një produkt i cili do të shitej për bamirësi. Vendosën zemrat e tyre në këtë mision duke besuar që mrekullitë do të ndodhnin sepse qindra fëmijë dhe prindër luteshin për një ditë më shumë në nevojë të dëshpëruar. Në datën 01 qershor 2017 është mbyllur fushata e parë që e pati zanafillën si një fushatë sensibilizuese për grumbullimin e të ardhurave në ndihmë të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut, të cilët janë shtruar dhe trajtohen pranë shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike pranë QSUT.
Nga dita e prezantimit publik në Televizionin Top Channel në Shqipëri, si projekt bamirësie, produkti I parë t-shirt me luledielli u vu para publikut si një formë për të dhënë kontribut, dhe u shit në kohë rekord për 7 javë e 4 ditë .Ishin 3 mijë njerëz që veshën bluzat duke I ndarë fotot e tyre në profilet e rrjeteve sociale dhe duke sensibilizuar këdo përreth. Hashtagu #youareasunflower u bë viral. Kudo ku jetonin shqiptarë dhe jo vetëm, si një mesazh I fuqishëm në ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve. Ishte thjeshtë e jashtëzakonshme!!
Për t’iu përmirësuar kushtet ku ata kurohen dhe trajtohen, është motori me të cilin është konceptuar dhe funksionon gjithcka. Për t’ju lehtësuar sado pak dhimbjen dhe kohën e vështirë me të cilën vogëlushet përballen gjatë trajtimeve dhe kurave të rënda, fushata “TI JE NJË LULEDIELLI” e përmbushi qëllimin e saj përmes shitjes së produkteve të krijuara me shumë dashuri dhe përkushtim. Të ardhurat e grumbulluara nga shitja e 3 mijë bluzave me simbolin e lulediellit, secila me vlerë kontributi 20 Eur, arritën në vlerën 60 mijë Eur dhe 100% e këtij fondi shërbeu për blerjen e aparateve respiratorë, të cilët do të vendosen në funksion të fëmijëve të shtruar dhe që kurohen në onkohematologji dhe reanimacion.
Gëzimi më i madh ishte tek fëmijët dhe familjarët e tyre që po ndiqnin cdo postim. Ata e ndjenë së gjithë zemrat ishin mbledhur sëbashku dhe një mrekulli po ndodhte! Gjithcka nisi nga dëshira e madhe për të ndihmuar fëmijët aty ku nevoja ishte e dëshpëruar, tek fëmijët e prekur nga sëmundjet e gjakut, kancer dhe leucemi. Ndërkohë ne kemi ngrituar kauzën për foshnjat e porsalindura dhe kemi shumë pranë zemrës arsimin dhe edukimin si dhe nënat. Ne krijuam idetë dhe produktet tona përmes të cilave ngritëm fondet, të cilat në formë publike shkuan në destinacion duke iu plotësuar gjithcka që ishte immediate në pavionin e onkohematologjis të QSUT.
Fushatës humanitare iu bashkua kompania Vodafone, të cilët dhanë kontributin e tyre duke blerë mbi 800 bluza. Gjithashtu, në përmbylljen e fushatës Vodafone bleu një pajisje me vlerë 32.000 Euro e cila u vendos në pavionin e kardiologjisë në pediatri. Faleminderit gjithashtu organizatës ‘The children for peace’, të cilët pajisën pavionin e onkohematologjisë me televizorë të rinj dhe shumë cilësorë dhe FiBank që ishit pranë nesh!
Shumë shpejt të tjerë të rinj u bashkuan vullnetarisht misionit ‘Ti je një luledielli’ në ndihmë të fëmijëve. Faleminderit këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm të cilët mblodhën zemrat së bashku të përkushtuar në këtë kauzë. Përmes sakrificave ata u bënë shembull për qindra mijra të tjerë me impaktin e madh dhe influencën me shembullin që dhanë. Faleminderit Brisilda Mataj, Esti Zekaj, Herado Ajazi, Greta Harapaj dhe Gerti Koxhja!
Herardo dhe Greta ndërtuan websit-in e parë. Brisilda, Esti dhe Gerti së bashku me Albanën, ndoqën nga afër të gjitha porositë që bëheshin për bluzat Luledielli. Entuziazmi ishte shumë i madh, aq sa na ndalonin njerëz në rrugë dhe pyesnin: Edhe sa bluza kanë ngelur? Ne punuam për 7 javë e 4 ditë në një magazinë me rigorozitet maksimal deri në orët e mëngjesit. Detyra e secilit i takonte të gjithëve. Misioni ynë është i shenjtë. Gjithçka ia vlen për ata të cilëve ua dedikojmë.
Gjithashtu, ky fond shërbeu për blerjen e pompave të kimioterapisë dhe poltronëve të rinj për seancat e kimioterapisë. Teksa vogëlushët do të marrin trajtimin e nevojshëm në këta poltronë, ata do të kenë mundësi të jenë më të qetë përgjatë seancave. Gjithashtu, duke vendosur kufje në vesh, ata do të kenë mundësi të shohin filma vizatimorë në dhomën e restauruar me të ardhurat e fushatës humanitare “Ti je nje luledielli ”. Po ashtu, pompat e kimioterapisë, një aparaturë shumë e nevojshme e munguar më parë, tashmë janë të disponueshme dhe ndihmojnë që të jetë çdo gjë më profesionale në kuadër të kurimit të fëmijëve, si dhe janë një ndihmë e madhe për stafin mjekësor që t’iu përgjigjen në detaj të gjithë fëmijëve të shtruar në këtë pavijon.
U vendosen televizorë të rinj në çdo dhomë, si dhe krevate portativë për nënat që qëndrojnë pranë fëmijëve me netë dhe ditë me rradhë, e ndonjëherë me muaj e ndoshta me vite. Më parë, nënat flinin pranë fëmijëve në kushte shumë të vështira, shpesh në karrige, të detyruara të sakrifikojnë gjithçka. Tashmë këta shtretër portativë, të cilët gjatë ditës kthehen në kolltuqe me masazh, janë një lehtësim shumë i madh. Kështu, gjithçka përfundoi me sukses në fushatën e parë, dhe vogëlushët do akomodohen në këto kushte më pranë botës së tyre të bukur. Këto kushte të përmirësuara do t’iu shërbejnë në vazhdim për lehtësira më të mëdha psikologjike, emocionale dhe fizike.
Ndërkohë ne nuk ndaluam me kaq. Pak javë më vonë, nisma ‘Ti je një luledielli’ do të shndërrohej në një fondacion, të themeluar ligjërisht në Gjykatën e Tiranës me vizionin për të shkuar global kudo kua ka një fëmijë në nevojë. Këtu ishte vetëm fillimi..