About us

TI JE NJË LULEDIELLI është një organziatë jo-fitimprurëse që operon në formën e një Fondacioni, e themeluar ligjërisht në datën 20.05.2017 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Tiranë, nën drejtimin e znj. Albana Osmani.

Që nga muaji qershor 2018, ky Fondacion operon me filialin e tij në NY, i regjistruar nën emrin “YOU ARE A SUNFLOWER INCORPORATED”. Në Bordin e Fondacionit dhe në statusin e ambasadorëve qëndrojnë figura të njohura në fushën e filantropisë, sikurse janë Anila Godo, Sadie Berisha, Donika Bardha, Inva Mula, Fadil Berisha, Evi Kokalari, Shadije Kodza. Stafi i kësaj organizate që operon në formën e fondacionit përfshin Albana Osmani, Drejtuese e Fondacionit, Herado Ajazi dhe Greta Harapaj në asistencë të plotë të drejtimit ekzekutiv dhe çështjeve të IT-së, dhe Afërdita Dundo, asistente e Drejtueses së Fondacionit për drejtimin ekzekutiv dhe logjistik. Daniel Kordhoni është bashkëpunëtor në projektin më të ri “You are a Sunflower Application game”. Bashkëpunëtor në Republikën e Maqedonisë është Agron Sallmani. Dy zyrat tona mbështetëse ligjore dhe ekonomike janë CR PARTNERS dhe Sali Association.

Misioni i organizatës në formën e Fondacionit është të ndihmojë fëmijët në nevojë, duke përfshire jo vetëm kategorinë e fëmijëve të sëmurë, me qëllim përmirësimin e kushteve në mjedisin social ku ata jetojnë, kurohen dhe trajtohen. Tashmë ligjërisht kjo organizatë, prej muajit qershor 2018, është regjistruar në SHBA si organziatë jo-fitimprurëse në filialin e saj atje, dhe besojmë se kjo do te jetë një derë e madhe e hapur për realizmin e vizionit tonë për t’u shtrirë në rang global, me idetë dhe produktet tona, duke i vendosur në shitje për vlera kontributi te mirë përcaktuara, dhe me fondet e ngritura të realizojmë qëllimet e kauzave të ngritura kudo në çdo shtet të botës ku Luledielli do fluturojë në ndihmë të fëmijëve në nevojë.

Në datën 01 qershor 2017 është mbyllur fushata e parë që e pati zanafillën si një fushatë sensibilizuese për grumbullimin e të ardhurave në ndihmë të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut, të cilët janë shtruar dhe trajtohen pranë shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike pranë QSUT. Gjithçka nisi nën idenë, konceptimin dhe kurimin e Albana Osmani. Dëshira për të ndihmuar fëmijët, për t’ju përmirësuar kushtet ku ata kurohen dhe trajtohen, është motori me të cilin është konceptuar dhe funksionon kjo fushatë. Për t’ju lehtësuar sado pak dhimbjen dhe kohën e vështirë me të cilën vogëlushet përballen gjatë trajtimeve dhe kurave të rënda, fushata “TI JE NJË LULEDIELLI” e përmbushi qëllimin e saj përmes shitjes së produkteve të krijuara me shumë dashuri dhe përkushtim. Të ardhurat e grumbulluara nga shitja e 3 mijë bluzave me simbolin e lulediellit, secila me vlerë kontributi 20 Eur, arritën në vlerën 60 mijë Eur dhe 100% e këtij fondi shërbeu për blerjen e aparateve respiratorë, të cilët do të vendosen në funksion të fëmijëve të shtruar dhe që kurohen në reanimacion. Gjithashtu, ky fond shërbeu për blerjen e pompave të kimioterapisë dhe poltronëve të rinj për seancat e kimioterapisë. Teksa vogëlushët do të marrin trajtimin e nevojshëm në këta poltronë, ata do të kenë mundësi të jenë më të qetë përgjatë seancave. Gjithashtu, duke vendosur kufje në vesh, ata do të kenë mundësi të shohin filma vizatimorë në dhomën e restauruar me të ardhurat e fushatës humanitare “TI JE NJË LULEDIELLI”. Po ashtu, pompat e kimioterapisë, një aparaturë shumë e nevojshme e munguar më parë, tashmë janë të disponueshme dhe ndihmojnë që të jetë çdo gjë më profesionale në kuadër të kurimit të fëmijëve, si dhe janë një ndihmë e madhe për stafin mjekësor që t’iu përgjigjen në detaj të gjithë fëmijëve të shtruar në këtë pavijon. U vendosen televizorë të rinj në çdo dhomë, si dhe krevate portativë për nënat që qëndrojnë pranë fëmijëve me netë dhe ditë me rradhë, e ndonjëherë me muaj e ndoshta me vite. Më parë, nënat flinin pranë fëmijëve në kushte shumë të vështira, shpesh në karrige, të detyruara të sakrifikojnë gjithçka. Tashmë këta shtretër portativë, të cilët gjatë ditës kthehen në kolltuqe me masazh, janë një lehtësim shumë i madh. Kështu, gjithçka përfundoi me sukses në fushatën e parë, dhe vogëlushët do akomodohen në këto kushte më pranë botës së tyre të bukur. Këto kushte të përmirësuara do t’iu shërbejnë në vazhdim për lehtësira më të mëdha psikologjike, emocionale dhe fizike. Produktet e krijuara për fushatën “TI JE NJË LULEDIELLI” ishin bluza, përbërë nga pambuku ekologjik dhe i riciklueshëm, të prodhuara sipas standardeve evropiane ISO. Në këto bluza është vendosur një LULEDIELLI, simbol gjithëpërfshirës i forcës, shpresës dhe jetës. Të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj fushate, kanë mundësinë të bëjnë të tyret produktet përmes blerjes online në e- shop www.youareasunflower.com. Mesazhi i fuqishëm u shpërnda kudo tek të gjithë, për më shumë shpresë, forcë dhe jetë, duke blerë këto bluza, për të përmbushur qëllimin e kësaj fushate: blerjen e aparaturave dhe gjithçkaje imediate, si nevoja parësore të fëmijëve të shtruar dhe që ende kurohen në QSUT, të cilët kanë nevojë për forcë, kanë nevojë për shpresë, kanë nevojë të jetojnë si ne.

Produktet cilësore të fushatës së parë sensibilizuese “TI JE NJË LULEDIELLI” u konceptuan përmes dizajnove të LULEDIELLIT. Albana Osmani u kujdes për të pikturuar dizajnët e tyre e më pas ato u përshtatën sipas të gjitha grup moshave, duke nisur nga brezi i tretë për zonjat e zotërinjtë, me tej të rinjtë e të rejat, adoleshentët, fëmijët, foshnjat dhe deri tek miqtë e dashur me katër putra. Mundësitë e zgjedhjeve janë të shumta, për çdo grup moshë dhe gjini. Bluzat erdhën në të gjitha masat, me dizajno të ndryshme, të përshtatura me shumë stil në bazë të shijeve të gjithsecilit.
Por, si nisi fushata sensibilizuese “TI JE NJË LULEDIELLI” dhe kush janë personat që dhuruan mbështetjen për të bërë të mundur këtë projekt? Gjithçka nisi nga Albana Osmani, e cila ideoi, konceptoi dhe kuroi gjithë procesin deri në detaj. Pasi Albana pikturoi lulediellit, ajo zhvilloi takimet e para me persona të fushës krijuese dhe të prodhimit. Në takime të shumta me profesionistë, ajo grumbulloi këshilla të vlefshme se si duhej të ndërtohej çdo gjë në perfeksion dhe më pas ky produkt të prezantohej në e-shop. Albana ia dedikoi fushatën e parë dy prindërve të saj White dhe James. Kështu, nisur nga kjo arsye, e-shop i parë, pa e menduar se një ditë do të themelohej një Fondacion, iu dedikua prindërve nisur nga emri i saj i shkurtuar Anna, nëna e saj White (Bora) dhe James (Xhemal). Pra, faqja e parë do të ishte www.annawhitejames.com (që më pas u zëvendësua me faqen aktuale www.youareasunflower.com ) Ky është një projekt për të cilin Albana dëshiron të bëjë krenarë prindërit e saj dhe të gjithë ata që iu bashkuan këtij projekti human. Por, tashmë kjo fazë mbaroi dhe pas themelimit të Fondacionit, faqja e internetit dedikuar fushatës së parë u bë i pavlefshëm. Tashmë përfaqësohemi zyrarisht me e-shop online www.youareasunflower.org . Një bluzë do të kushtonte 20 euro. 3000 bluzat e para po prisnin njerëzit në e-shop në shitje online, kudo që ndodheshin, në të gjithë botën. Transporti do të ishte falas brenda Shqipërisë dhe me 75% ulje nga tarifat zyrtare në të gjithë botën, kjo falë DHL-së, lideri i shërbimit me të shpejtë postar në të gjithë botën.

Spoti “TI JE NJË LULEDIELLI” u realizua në pavijonin e onkohematologjisë pediatrike pranë QSUT. Fëmijët në spot janë fëmijët, të cilët po marrin trajtimin e po kurohen në këtë qendër spitalore. Me ndihmën e vogëlushëve, e patëm çdo gjë shumë më të lehtë, pasi këta engjëj u argëtuan në lojën e organizuar gjatë xhirimeve. Me lejen e prindërve dhe prezencën e tyre përgjatë xhirimeve, gjithçka shkoi për mrekulli. Faleminderit vogëlusheve Ariana Alla, Klodiana Shkëmbi, Klevis Cuka, Leo Jonuzi, Mikel Hakushi, Rigers Sadikaj dhe Huana Dajko. Faleminderit infermieres Klara Biraci. Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, faleminderit shefes së shërbimit Prof .Dr. Anila Godo.

Faqja e internetit u ndërtua nga profesionistët e IT Herado Ajazi dhe Greta Harapaj. Gjithçka që u ofrua në këtë faqe interneti ishte në standardet ndërkombëtare të një e-shop. Një punë e pa lodhur për javë me radhë nga ana e dy profesionistëve tanë të IT-së, e gjitha ishte e vlefshme dhe në mbështetje të kësaj kauze, garantoi një shërbim të shkëlqyer dhe korrekt në bazë të të gjitha detajeve për shërbimet e ofruara. Faleminderit Herado dhe Greta.
Personazhet e para të fotografuara me bluza të fushatës “TI JE NJË LULEDIELLI” janë persona të profesioneve të ndryshme dhe përfaqësues të të gjitha grup moshave. Z. Nehat Shkurti dhe Zj. Dashuri Shkurti, pensionistë; Rudina Thanasi, dermatologe, kosmetologe dhe studiuese autor; Artan Kullolli, barist; Elvi Sharr, biznesmen; Anisa Mukaj, modele; Brisi Mehmeti, modele; Orgesa Kalemi, grua në biznes; Gert Koxhja, studente dhe modele; Gledisa Arthur, aktore; Henry Alushi Osmani, fëmijë aktor dhe model; Deborah Alushi Osmani, fëmijë artiste dhe modele; Ryan Osmani, bebe supermodel, dhe miqtë me katër putra Boo dhe Boaz.
Fotografi i mirënjohur Endrit Mërtiri realizoi fotot dhe post produksionin. Make Up Artsit Suela Cangu, Miranda Dupi, Image Maker. Faleminderit të gjithë personazheve, Zonjave dhe Zotërinjve, djemve dhe vajzave, fëmijëve, Baby Ryan dhe miqve me katër putra, të cilët ndihmuan dhe mbështetën me prezencën e kontributin e tyre këtë fushatë.
Faleminderit Top Channel, Presidentes Znj .Vjollca Hoxha për mbështetjen e madhe mediatike pa të cilën do të qe e pamundur t’i jepnim shkëlqimin maksimal kësaj fushate. Faleminderit kanalit televiziv të të gjithë Shqiptarëve.

Bluza në sasi të limituar “Unë jam Dardan”, ishte një dedikim për Kosovën, Dardaninë. Helmeta Dardane është simbol i kësaj treve Shqiptare. Po ashtu, kjo bluzë ishte një dedikim edhe për vëllain e Albanës, Dardanin, i cili ishte inkurajimi më i madh për t’ia dalë me sukses në këtë fushatë sensibilizuese, duke besuar dhe duke dhuruar mbështetje me zemër. Faleminderit Dardan!

Mbështetja më e madhe përgjatë kësaj fushate erdhi nga kompania më e madhe e Telefonisë Celulare në Shqipëri, VODAFONE. Faleminderit Z. Dietlof Mare nga zemra, dhe mirënjohje për të gjithë punonjësit e kësaj kompanie.
Falenderime të veçanta shkojnë edhe për kompanitë DHL, Ola 1, Agna Grup, Proper Pizza. Faleminderit “Children for Peace”. Falënderime për mbështetjen tuaj dhe që ishit me ne deri në përmbyllje të fushatës sonë të parë.

Në fund, një falënderim i madh dhe i sinqertë për të gjithë ju që bëtë të mundur realizmin e qëllimit final. 3 mijë Ambasadorëve të Fushatës “TI JE NJË LULEDIELLI”. Përulësisht faleminderit!!! Shqiptarë nga e gjithë bota blenë bluzat dhe sensibilizimi ishte shumë i madh. Reagimi mbarë popullor ishte shumë i madh kudo nëpër rrjete sociale. Hashtagu #tijenjëluledielli u bë viral. Çdo ditë bliheshin bluza dhe çdo ditë bëhej thirrje për sensibizim. Kompani nga Shqipëria, biznese, individë nga Shqipëria dhe përtej kufijve në Ballkan, Evropë, UK, USA, Australi, Arabi, kudo blenë bluzat dhe gjithçka që ndodhi ishte mrekullisht e jashtëzakonshme. Shumë persona të njohur që kanë profile publike dhe kanë influencë në shoqërinë shqiptare blenë bluzat dhe i publikuan në profilet e tyre për mbështetje dhe sensibilizim, ndër të cilët edhe njerëz me rëndësi të veçantë si Kryeministri, Kryetari i Bashkisë, ministria të shtetit, institucione shtetërore, drejtues kompanish prestigjioze dhe personazhe të televizionit dhe medias. Por, dashuria dhe vlerësimi më i madh ishte nga ata që edhe pse në një mesatare jetese si Shqipëria, arritën të blejnë bluzat me vlerë kontributi 20 euro, vetëm e vetëm që të ndihmojnë fëmijët e vendit tonë, Shqipërisë.
MIRËNJOHJE!!

Faleminderit Brisilda Mataj, Esti Zekaj dhe Gerti Koxhja që për 7 javë e gjysmë punuat orar pa orar në një standard të përkryer. Ne të gjithë si grup punuam dhe bëmë gjithçka nga zemra. Dielli ndriçoi në zemrat e të gjithëve deri në fund të përmbushjes së qëllimit të fushatës “TI JE NJË LULEDIELLI”. Të gjitha bluzat u shitën në një kohë rekord për 7 javë e 4 ditë dhe në datën 1 qershor, ne zhvilluam inaugurimin në Qendrën Spitalore Nënë Tereza ku ishin prezent të gjithë ata që na mbështeten: mjekët, familjarët e fëmijëve, disa nga fëmijët, kompanitë dhe mediat. Vendosëm në pavijonin e Onkohematologjisë dhe reanimacionit aparaturat, respiratorë, poltrona kimio-terapie, pompa-kimioterapie, 20 shtretër portativë për akomodimin dhe rehatinë e nënave përgjatë natës ndërsa përkujdesjen për fëmijët, 20 televizorë të rinj që sot punojnë me USB në çdo dhomë. Sot fëmijët, nën përkujdesjen e punonjësve socialë, shohin filmat e tyre të preferuar vizatimorë. Ndërruam aparaturat që peshonin fëmijët dhe foshnjat e sapolindura. Dhomën e kimioterapisë e shndërruam në një mini-kinema. Të gjitha këto ndryshime shpresojmë të përmirësojnë shërbimin dhe do shpëtojnë jetë, pasi në QSUT, këto pajisje mungonin, ndërkohë që ishin jetësore. Kështu, të gjithë ne ndjemë që në një formë apo në një tjetër, realizuam qëllimin dhe bëmë që dielli të shkëlqejë qoftë edhe për një ditë më shumë për dikë në këtë botë. Dhe ky ishte vetëm fillimi … “YOU ARE A SUNFLOWER” në pak javë u themelua si Fondacion dhe në 7 muaj kohë, ne prezantohemi në publik me të njëjtin përkushtim dhe dashuri me fokusin tonë Fëmijët Shqiptarë, gjithçka për ta, 100% bamirësi. Projekti “Tirana You are a Sunflower” nisi menjëherë në muajin qershor 2017. Në gjithë Tiranën, u realizuan 106 luledielli, të cilat kryesisht janë vendosur tashmë në ambientet e shkollave te kryeqytetit. Në 80 shkolla gjenden 80 luledielli të cilat percjellin mesazhin “Fëmijët në mbështje të fëmijëve”. 26 luledielli të tjera janë vendosur nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, dhe Tirana tashmë duket diellore e mbushur me dashuri, duke përcjellë mesazhin e kryeqytetit human për çdo vizitor. Me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Drejtorisë së Dekorit, dhe piktorëve të talentuar të Liceut Artistik “Jordan Misja “ në Tiranë, në 4 vite kohë këto luledielli janë pjesë e një projekti humanitar në ndihmë të Spitalit të Elbasanit. Të gjitha këto luledielli kanë vlera kontributi të përcaktuara, dhe ne shpresojmë që të gjitha lulet të mundësohen një ditë dhe i gjithë fondi të shkojë në ndihmë të këtij spitali rajonal. Lulet e diellit janë pasqyruar në një hartë digitale, ku shumë shpejt, ndërsa do të jenë mundësuar të gjitha, kjo hartë do t’i dorëzohet Bashkisë së Tiranës për t’u prezantuar më pas tek të gjithë vizitorët për të përcjellë mesazhin që mbajnë dedikuar fëmijëve për më shumë diell dhe forcë në jetën e tyre. Shpresojmë që një ditë të propozojmë këtë projekt në Google Map dhe të vizualizojmë këtë pamje para gjithë botës, për të rrëfyer se si në këtë vend shpirti human buron tek ne që nga gjeneza, dhe se si ne qendrojmë së bashku për çdo fëmijë në ndihmë të tyre, dhe se si nga trojet ku lindi Nënë Tereza, një dritë po shkëlqen si shpresë për çdo fëmijë në të ardhmen në botë. Misioni ynë vazhdoi përsëri në një tjetër projekt, me mbështetjen e Vodafone Albania. U krijuan 2 mijë arusha me bluzat me simbolin e lulediellit dhe me logon e Vodafone, të cilët për herë të parë modeluan logon e tyre me shumë elegancë dhe bënë një dedikim per çdo fëmijë në kuadër të fushatës “Share&Care“ të organizuar në fundit të vitit 2017 . Qindra fëmijë në jetimoret e Shqipërisë dhe të Kosovës morën dhuratë arushin e preferuar me mesazhin “Të kam xhan” të qëndisur nga Vodafone dhe “Ti je një Luledielli” me shumë dashuri për çdo fëmijë. Faleminderit Vodafone, që në këtë ide tonën, ju na mbajtët për dore duke mos dashur që puna jonë të ndalonte aty. Na inkurajuat të realizonim së bashku këtë fushatë. Ne besojmë se gëzimi i madh dhe buzëqeshjet e femijëve në fundit të vitit 2017 ishte dhurata më e bukur për të gjithë! 500 nga këta arusha u shitën online kudo, dhe ky fond u përdor për zhvillimin e një prej projekteve tona “You are a Sunflower Application Game”, për të cilin jemi shumë entuziast.

Puna jonë ka qenë intensive në mënyrë vullnetare, ditë e natë. Çdo fond i mbledhur shkon publikisht në destinacion, qindarkë për qindarkë. Një ndihmë e madhe në prezantimin e projekteve tona ka qenë Top Media – Top Channel. Projektet tona kanë gjetur hapësirën televizive maksimale, duke i prezantuar ato në progamet televizive më të ndjekura deri në pasqyrimet e tyre në kronikat e edicioneve informative për ato detaje që ne besonim se kishin rëndësi për informimin e publikut të gjerë. Në Top Channel janë transmetuar dhe dy spotet tona televizive, ai i fushatës “Ti je një Luledielli” në Shqipëri, si dhe ai i fushatës së dytë që nisi rishtas në Kosovë “Dardani je veshur me Diell”. Faleminderit Top Media dhe Znj. Vjollca Hoxha për mbështetjen e madhe dhe inkurajimin për të qëndruar së bashku për çdo fëmijë, për çdo kauzë të ngritur.

Fushata “Dardani je veshur me Diell” nisi në Kosovë në fundit të vitit 2017. Edhe në Kosovë u zbatua e njejta formulë për të ngritur fondin prej 60 mijë Eur. U përmbyll me sukses! Të gjitha bluzat shkuan në zero, dhe qindra qytetarë të thjeshtë dhanë kontributin e tyre me zemër, së bashku me personalitete të njohura të botës së artit, sportit, politikës. Mirënjohje e veçantë shkon për Ambasadoren e kësaj fushate në Kosovë, Znj. Anita Haradinaj, e cila me influencën e saj si njeri me profil publik prej shumë vitesh në botën e televizionit, si nënë e tre femijëve dhe si bija e një nëne, Anita u përkushtua me zemër që gjithçka të shkonte mirë dhe mbarë. Faleminderit gjithashtu Z. Lorik Cana, kapitenit legjendar që me imazhin e tij shumë të dashur në publik na mbështeti që nga fillimi i kësaj fushate me gjithë potencialet e tij dhe influencën e madhe në çdo aspekt, por dhe në fushën e filantropisë gjatë viteve të fundit edhe përmes fondacionit që ai drejton “LC 5 Foundation”. Faleminderit përzemërsisht që ishe për dore me ne në këtë fushatë, në ndihmë të femijëve të QKUK Prishtinë, Kosovë.
“GAC Organisation” ishte gjithashtu një mbështetje e madhe për ne në këtë fushatë, të kontraktuar me ne për mbarëvajtjen e të gjithë procesit të realizimit. Faleminderit kompanisë Gjirafa, e cila vuri në dispozicion të gjitha kredencialet e veta në çdo rast për mundësimin e bluzave me luledielli dhe me logon e Dardanisë Ilire, të dedikuara për këtë fushatë humanitare. Mirënjohje për të gjithë ju që ishit miqtë tanë të çmuar në këtë rrugëtim, që së bashku ia dolëm të realizojmë qëllimin e kësaj fushate.
Njohur nga Kryeministria dhe Qeveria e Kosovës dhe përshendetur nga Presidenti, Kryeministri dhe i gjithë Parlamanti, të cilët u veshën me bluzat e fushatës në një prej seancave parlamentare, duke përçuar edhe me tej mesazhin e përcjellë në zanafillë: Jetë, Shpresë, Forcë per çdo fëmijë!
Përgjatë zhvillimit të kësaj fushate edhe Parlamenti Shqiptar, në seancën e fundit parlamentare të vitit 2017, u veshën me luledielli në ndihmë të fëmijëve të Kosovës. Mirënjohje dhe vlerësim! Nga zemra falenderojmë të gjithë ata që përtej një kontributi, duke blerë një bluzë, besuan bashkë me ne që mrekullitë do të ndodhin për ata fëmijë dhe familjarët e tyre, duke besuar deri në fund që kur gjërat bëhen me zemër, vlera e tyre është e paçmueshme!
Tashmë në Spitalin e QKUK do të gëzojmë të gjithë me ndryshimin e bërë dhe me diellin që do të shkëlqejë në shpirtrat e fëmijëve dhe të ardhmes së tyre. Lutemi që kjo e ardhme të jetë me dritë dhe e shëndetshme!

Aktualisht, një luledielli është ndezur në kryeqytetin e Maqedonisë, ku zyrtarisht në datën 04.06.2018 nisi Fushata “Macedonia You are a Sunflower” në mbrëmjen e hapjes së fushatës së njohur nga shteti Maqedonas në ndihmë të fëmijëve pa dallim etnie, shqiptar dhe maqedonas. Kryetari i Kuvendit Z.Talat Xhaferi dha mesazhin inkurajues me zemër si prind dhe si Kryeparlamentar që të mbështesim së bashku kauzën e ngritur për fëmijët e Spitalit “Nënë Tereza” në Shkup , dedikuar pavijonit të onkohematologjisë. Të pranishëm ishin dhe personalitete të rendësishme si Zv. Kryeministri, Ministri i Shendetësisë, Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni dhe personalitete të shquara të cilët ishin veshur me bluzat me simbolin e lulediellit, duke bërë të gjithë sensibilizimin e tyre. Në Republikën e Maqedonisë ne lumturisht kemi nisur fushatën humanitare duke shpresuar që bluzat të shiten sa më shpejt, pasi nevojat e vogëlushëve janë të mëdha. Faleminderit bashkëpunëtorëve tanë atje, pjesëtarit tonë të stafit në rolin e bashkëpunëtorit Z. Agron Sallmani, i cili dha mbështetjen e tij të parë përmes Agram Construction, duke mundësuar realizmin e 3 mijë bluzave të fushatës. Në angazhimin e tij të përkushtuar që i gjithë procesi të shkojë mirë dhe mbarë, ai gjendet atje në koordinim me Kompaninë Mediak 2, Z.Tim Ademi, të cilët në çdo komponent logistik po procedojnë që procesi teknik të shkojë perfekt. Faleminderit dhe Bashkisë së Shkupit për mbështjen institucionale, dhe Kryetarit të saj.

Së shpejti / Soon

Projekti ynë më i ri i “You are a Sunflower Application Game” që vjen i mbështetur nga UNICEF Albania, ka në fokus Spitalin Rajonal të Qytetit të Kukësit, pavijonin e foshnjave të porsalindura. Ky aplikacion është një lojë shumë tërheqëse me 4 nivele, dhe pas çdo niveli ka 4 nën-nivele, ku argëtimi është i garantuar, por jo vetëm kaq. Përgjatë gjithë lojës është një promovim i madh i Shqipërisë nga veriu në qendër, në jug, dhe i kulturës sonë, përmes pamjeve që shfaqen duke sjellë kështu në vemendje Shqipërinë tonë të bukur! Në fund të lojës, në atë pjesë që ne e kemi quajtur “Libërthi Virtual” shpalosen mesazhet e fuqishme të këtij aplikacioni. Në këtë libërth tregohet historia e Lulediellit, se si në fillim kjo Lule po i vinte globit përreth dhe se si ndaloi në një vend të vogël e të varfër si Shqipëria.

Por, ky vend ishte i bekuar nga Zoti dhe aty jetonin njerëz të mirë e me zemër të madhe. Në këto troje ku Luledielli nisi shtegtimin e saj ishte pikërisht vendi ku lindi Nënë Tereza. Luledielli ndalon në shumë kryeqytete të botës, ku shumë fëmijë japin mesazhe të forta kundër bullizmit, abuzimit, varfërisë, skamjes, dhe dëshirës që në këtë botë, pavarësisht hartës gjeografike, një fëmijë gjithçka dëshiron është të mbetet thjesht një fëmijë.

Ky Application Game do të shkarkohet nga çdo telefon Smart dhe Android në rang global vetëm për 2.99 Eur dhe të gjitha të ardhurat do të shkojnë në Spitalin e Kukësit, si fillim në pavijonin e foshnjave të porsalindura. Më pas, në bazë te fondit, do të ndihmojmë Pediatrinë në Spitalin më të madh Rajonal që i takon Veriut të Shqipërisë. Një mundësi tjetër që iu ofrohet të gjithë operatorëve të Vodafone përmes një sms që do të ketë koston 2.99 Euro ose 373  ekë, në numrin 57777 duke shkruar në sms #tijenjeluledielli, do të përfitojnë kodin përmes të cilit munden ta shkarkojnë lojën nga App Store dhe Google Store menjëherë, pa qenë nevoja të përdorin kartat e shërbimeve online. Pra, vetëm përmes një sms, ata kanë mundësinë të shkarkojnë lojën “You are a Sunflower”. Dhe kështu, të gjithë së bashku do të ndihmojmë Spitalin e Kukësit nga zemra jonë dhe do të gëzojmë me këtë lojë kaq tërheqëse, duke iu kujtuar të gjithë njerëzve kudo në botë se ekziston një lojë ku mund të njihen edhe më shumë me Shqipërinë dhe të jenë pjesë e kësaj Fushate Humanitare. Mbështjen e Fondacionit “Dritan Hoxha” e kemi në këtë projekt si përherë në çdo hap tonin. Familja e Top Media ka qenë dhe mbetet ndër mbështetjet më të mëdha. Faleminderit nga zemra.
Shpresojmë shumë që suksesi ta shoqërojë këtë projekt dhe të gjithë të jemi dëshmitarë të një ndryshimi në kauzën e ngritur për spitalin e veriut të Shqipërisë.